Qeveria italiane synon të nisë një amnisti të re, të njohur atje si “Sanatoria”, për të rregulluar më shumë se 600 mijë emigrantë të paligjshëm, njoftuan mediat italiane. Kjo është shpallur nga Ministrja e Brendshme, Luciana Lamorgese, që po përgatit një ligj për rregullimin e të huajve që kanë hyrë ilegalisht në Itali. Kërkesat janë: zotërimi i një kontrate pune në Itali dhe pagesa e madhe.

Shifra nuk dihet me saktësi, por mund të jetë e njëjtë, 1000 euro, siç u dha në amnistinë e mëparshme në 2012.

Kontributi do të duhet të paguhet nga punëdhënësi i interesuar për punonjësin e tij, për shembull, nga një ndërmarrje industriale ose bujqësore ose qoftë dhe një familje që ka punësuar shërbëtorë apo kujdestarë në shtëpi.

Nuk është e lehtë të vlerësohet numri i të huajve që përfitojnë nga amnistia, po mendohet rreth 600 mijë.

Ministria ende nuk e ka bërë të ditur se cila do të jetë periudhë minimale e qëndrimit të të huajve në Itali, që duhet për t’i marrë në konsideratë. E sigurt është vetëm që prania e tyre në Itali duhet të dokumentohet në një mënyrë të caktuar nga organet publike, jo thjesht të deklarohet nga i interesuari, për të shmangur kështu abuzimet.

Por nga ligji nuk do të përfitojnë ata që kanë një urdhër dëbimi për shkeljen e rendit publik apo sigurisë, për terrorizëm apo emigrantë të rrezikshëm për shoqërinë a që janë dënuar tashmë për krime dhe duhet të arrestohen.

Amnistia do të jetë pjesë e një projektligji më të gjerë që formulon politikat e emigracionit dhe kushtet e qasjes së të hujave në Itali.