Boksieri Klevis Çelaj u shpall kampion në kategorinë “Elite” për të rritur për peshën 52 kg në kampionatin kombëtar të mbajtur në pallatin e sportit “Farie Hoti” në kryeqytet në datën 7 nëntor. Kampioni nga qyteti i Vlorës stërvitet në kushte aspak të ngjashme me ato të kundërshtarëve të tij, ku pajisjet e tij stërvitëse janë vetëm: Një thes boksi, dorashkat dhe litari, pavarësisht se vetë ky sportist stërvitet në natyrë.

Klevis, ju arritët disa ditë më parë të shpalleshit kampion. Si ndiheni pas këtij suksesi?

Mora pjesë në kampionatin kombëtar të boksit i cili u zhvillua në qytetin e Tiranës, në pallatin e sportit “Farie Hoti”. Aty konkurrova në kategorinë “Elite” për të rritur, ku fitova për peshën 52 kilogramë. Jam mjaft i kënaqur në aspektin personal për rezultatin e marrë. Ishte përgjigje për të gjithë mundin e sakrificën e deritanishme. Por parë nga këndvështrimi i vlerësimit të një boksieri, ndihem mjaft i zhgënjyer pasi kurrë nuk kam pasur mbështetjen e duhur.

Prej sa kohësh merreni me boks?

Boksi është pasioni im që fëmijë. Idhujt e mi luanin në ring diku jashtë shtetit, më mahniste mënyra se si ndesheshin. Unë kam më shumë se 8 vite që stërvitem, por gjithmonë në kushte paksa ndryshe, në natyrë e në shtëpi. Jam stërvitur gjatë gjithë vitit, çdo ditë, pasi nuk e lë dot pas dore atë që kam pasionin tim më të madh.

Cilat janë vështirësitë e tua për sa i përket taktikës së stërvitjes dhe si arrini t’i siguroni pajisjet e nevojshme?

Unë stërvitem në kushte shtëpie, kam vetëm thesin e boksit “mikun tim më të mirë”, të cilin ma ka falur në miku im që ka një dyqan pajisjesh sportive dhe unë e kam montuar vetë. Dorashkat i kam blerë me të ardhurat e mia, kur punoj. Blej nga ato të lirat, jo profesionale pasi nuk i përballoj dot. Dorashkat e fundit m’i bënë dhuratë pasi nuk kisha.

Sa strikte është dieta e një boksieri dhe a arrin ta respektoni siç duhet?

Unë e di programin që duhet të ndjek, e kam gati, por realisht është tepër e vështirë t’i përmbahem. Dieta kërkon ushqime të zgjedhura, fruta e perime, e jo ushqime të cilat mund të çojnë në shtimin e peshës. Unë nuk kam të ardhura t’i siguroj ushqimet e duhura, e i vetmi aset i dietës që unë respektoj është një kokërr mollë jeshile, pasi nuk kam mundësi për më shumë.

E keni menduar të zhvendoseni në një qytet tjetër të Shqipërisë ku sporti i boksit ka më shumë rëndësi, apo dhe jashtë shtetit?

E mendoj gjithmonë. Kryeqyteti do të ishte një zgjidhje për mua, vendi në të cilin mund të shprehja sa më mirë aftësitë e mia. Për sa i përket të emigruarit jashtë shtetit, është e pamundur, nuk kam mbështetje, por do të bëja çmos për të shkelur në një ring në Europë.

Cilat janë synimet e Klevisit?

Synoj të marr pjesë në evente të tjera të boksit, e të marr rezultate pozitive. Do vazhdoj të stërvitem deri sa të lançohet një datë për t’u ndeshur. Shpresoj që një moment të kem kushte të barabarta me kundërshtarët e mi.

Klevis Çelaj ishte i ftuar dhe në “Tv Klan”, aty ku ka rrëfyer vështirësitë dhe ka shpërtyer në lot në emision. Gjatë intervistës me gazetaren Mirela Milori, ai është shprehur se ka marrë shpërblim 140 mijë lëkë edhe pse ka dalë kampion.

“Po ja të shikosh motrën e vogël, të kesh një pjatë gjellë dhe të shkosh 5 veta në shtëpi , s’di kujt t’ja japësh më përpara atë pjatë. Jam menduar, kujt t’ja jap më përpara”, ka thënë kampioni i boksit, i cili ka shpërthyer në lot gjatë emisonint.

“Më vjen keq që jam 30 vjeç dhe s’kam dalë njëherë jashtë shtetit. Se kam kaluar ndonjëherë, vetëm brenda Shqipërisë, s’kam bërë asgjë, kam vuajtur shumë… Zakonisht mundohem që mos i’ua shpreh njerëzve, vetëm buzëqesh sado përbrenda jam”, përfundon Klevis Çelaj.

Enriko Gabaj

Loading...

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here