Loading...

Një grabitje e armatosur ndodhi mbrëmjen e djeshme në një vilë dykatëshe zonën e Alliasit në Tiranë, ku mbetën të plagosur çifti i bashkëshortëve, Petrit dhe Afërdita Laze.

Dy persona të maskuar dhe të paidentifikuar ende nga policia hynë nga pjesa e pasme e vilës dy katëshe që ndodhet buzë rrugës “Njazi Meka”, ku nën kërcënimin e armëve iu kërkuan dy bashkëshortëve paratë.

Këta të fundit bënë rezistencë dhe u përleshën fizikisht me grabitësit në korridorin e katit të dytë, duke mbetur të plagosur.

Siç shihet dhe në videon e publikuar në media, kati i parë i vilës dykatëshe është përshtatur në një biznes për shitje buke dhe mielli, të cilin e dispononte prej vitesh.

Dyshohet se autorët e ngjarjes janë të afërm të familjes Laze ose banorë të zonës. Deri më tani janë shoqëruar rreth 15 persona në polici, por ende nuk janë identifikuar autorët.

61-vjeçari, Petrit Laze mori një plumb në bark dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale, ndërsa bashkëshortja e tij 59-vjeçare u qëllua me një plumb në këmbë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Autorët e grabitjes i kanë goditur edhe me sende të forta pronarët e biznesit.

Kujtojmë këtu se çifti i plagosur janë pronarë të furrës së bukës “Laze” me disa pika në Tiranë.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se grabitësit kanë pasur informator të brendshëm, pasi mbetet e paqartë se si ata kanë hyrë brenda banesës, e cila ka sistem alarmi dhe kamera sigurie.

Ka qenë vajza 17-vjeçare e çiftit që dëgjoi zhurmë në katin e parë dhe lajmëroi të atin.

Loading...