Presidenti Meta do të rikthehet sërish në shesh për të firmosur dekretin e shpërndarjes së Kuvendit, pasi pyeti popullin nëse ishin dakord me këtë.

Turma e revoltuar iu përgjigj ”pooo” njëzëri pyetjes së presidentit Meta, në rast se donin që ai të shpërndante Kuvendin.

Sot presidenti firmosi dekretin për të kthyer pas ligjin për betimet e gjyqtarëve të Kushtetutës që u kalua disa ditë më parë në Kuvend, që i rrëmben haptazi kompetencat kreut të shtetit.

Meta tha se shpërndarjen e parlamentit, do ta bëjë menjëherë pas Reformës Zgjedhore, afati i të cilës është 15 Marsi, në rast se qeveria nuk reflekton. Madje kreu i shtetit i sfidoi të gjithë kur tha se do të hyjë në Kuvend si ushtar i parë i Republikës.

“Unë ju jap fjalën në emër të këtij flamuri, për të cilën janë vrarë mijëra dëshmorë, kur të përfundojë Reforma Zgjedhore, unë Ilir Meta betohem se atë dekret do ta firmos në mes të parlamentit, atje në mes të krimit, do i bëj thirrje popullit shqiptar, që unë i pari, do ta ndalim komunizmin”, u shpreh Meta.

“Zëri i popullit është zëri i Zotit, shqiponjat fluturojnë vetëm lart. Falenderimi më i përzemërt shkon për bashkëatdhetarët tanë që kanë ardhur nga e gjithë bota”, u shpreh më tej Meta.