Tani ata e thërrasin “Vëllai i Madh”. Quhet Alban Laçi. Është njeriu që u ka qëndruar gjithmonë pranë zjarrfikësve në Gramsh.
Historia e bashkëpunimit të tyre ka nisur kohë më parë, pikërisht në periudhën kur Reparti Zjarrfikës Gramsh, i drejtuar nga Ilir Llapushi, u bë i famshëm për punën, profesionalizmin, përkushtimin, devotshmërinë dhe inovacionin. Ishte ky repart që më dëshirën për të bërë më të mirën për qytetin përshtatën për zjarrfikëse një kamion të vjetër të ushtrisë.

I emocionuar nga ky inovacion, Alban Laçi, një emigrant shqiptar me punë në Suedi, vendosi të ndihmojë pa u kursyer repartin zjarrfikës në këtë qytet duke dërguar pajisje, mjete dhe gjithçka që ka të bëjë me punën e tyre.
Shpeshherë Albani ka qenë prezent mes repartit zjarrfikës duke marrë pjesë aktive në veprimtarinë e tij të përditshme. Edhe në tërmetin e 26 nëntorit, ai i ndihmoi ata me ushqime dhe gjëra të domosdoshme.

Por për këtë vit nuk ka mbaruar me kaq. Në shenjë respekti për punën e bërë nga efektivi në zonat e dëmtuara ai shpërndau certifikata dhe një bonus prej 150 mijë lekë shpërblim për çdo zjarrfikës që ata të festojnë me familjet e tyre. Veç kësaj Albani ofroi edhe drekën e Vitit të Ri për të gjithë efektivin.

Sipas të dhënave, lekët janë grumbulluar nga shokët dhe miqtë e tij në Suedi. Por Albani është gjithmonë modest. Ai asnjëherë nuk është kursyer vetë për të ndihmuar, por nuk është nga ata që bën bujë dhe zhurmë për humanizmin që e karakterizon. Sepse ai është një njeri me virtyte. Është shprehje e një solidariteti të pashoq që rrallë e gjen në ditët tona.

Reparti Zjarrfikës në Gramsh gjen rastin që ti urojë një vit të gëzuar, plot shëndet dhe mbarësi Alban Laçit familjes dhe të afërmve të tij. Tashmë një miqësi e përjetshme është materializuar mes tyre…