Ndoshta me vonesë, por tashmë bota është mobilizuar për të ndihmuar Italinë e gjunjëzuar nga koronavirusi. Një delegacion prej 37 mjekësh dhe 15 infermierësh mbërritën nga Kuba në aeroportin Malpensa në Milano, pasditen e së dielës, të cilët do të japin ndihmesën e tyre në spitalin e ngritur së fundmi në Crema.

Po ashtu, në Itali mbërriti edhe avioni i parë me mjekë dhe pajisje nga Rusia, për të ndihmuar në luftën ndaj koronavirusit. Gjatë javës, pritet të mbërrijë edhe një dërgesë me 3 milionë maska nga Kina.

Mjekët nga Kuba njihen në të gjithë botën për përgatitjen e tyre. Ata ndërhynë në Haitin e shkatërruar nga tërmeti dhe më pas edhe nga kolera. Ata punuan në Sierra Leone, ku vendi u godit nga Ebola. Ndërsa tashmë janë të gatshëm të japin ndihmesën e tyre edhe në luftën ndaj koronavirusit në Itali. Po ashtu, mjekët nga Kuba do të përdorin edhe një ilaç, antiviral, “Alfa 2B”, i cili nuk gjendet në spitale. Sipas shumë ekspertëve, përfshirë edhe ata italianë, është më efektivi deri tani në trajtimin e Covid-19.

Ai është përdorur me sukses gjatë kësaj periudhe edhe në Kinë dhe në Korenë e Jugut.