Tre ditë pas vdekjes së Nexhmije Hoxhës, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare edhe numri ish-dy i Partisë Komuniste, Vito Kapo, e veja e Hysni Kapos. Ajo ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë periudhës komuniste, e ndërsa ishte bashkëshortja e Hysni Kapos, një nga figurat më të rëndësishme të PPSH-së.

TIRANË- Tre ditë pas vdekjes së Nexhmije Hoxhës, ka ndërruar jetë në moshën 97-vjeçare edhe numri ish-dy i Partisë Komuniste, Vito Kapo. Ajo ka mbajtur disa poste të rëndësishme gjatë periudhës komuniste, e ndërsa ishte bashkëshortja e Hysni Kapos, një nga figurat më të rëndësishme të PPSH-së. Vito Kapo ka qenë ish-ministre e industrisë së lehtë në vitet 1987-1990 si dhe ish-kryetare e Bashkimit të Grave para viteve ‘90.

Kapo, gjithashtu u angazhua në formacionet partizane, fillimisht si sekretare e Enver Hoxhës pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan, në nëntor 1944 deri në maj të 1945 në Komitetin Qendror të PK-së.

Ajo mbylli sytë sot pranë familjarëve të saj në Tiranë.

Kush ishte Vito Kapo?
U lind më 9 nëntor 1922 në Nivan të Zagorisë, e bija e dr. Stathi Kondit dhe Krisanthisë; motër e Pirro, Alqiut dhe Tanës.Më 1941 mbaroi Institutin Femnor “Nana Mbretneshë” të Tiranës.


Në vitet 1942-43 ra në kontakt me grupet komuniste dhe u bë pjesë e Grupit Komunist të Shkodrës. Në shkurt-maj 1942 shërbeu si mësuese në fshatin e lindjes. Gjatë luftës u ndodh në Nivan, Konispol e Përmet. Më 1943-44 qe anëtare e sekretare organizative e Komitetit Rajonal të Partisë Komuniste për Gjirokastrën. Në korrik-nëntor 1944 punoi si sekretare e Enver Hoxhës pranë shtabit të përgjithshëm në Helmës dhe Odriçan. Në nëntor 1944 gjer në maj të 1945 qe në Komitetin Qendror të PK-së dhe e ngarkuar me Bashkimin e Grave Antifashiste Shqiptare.

Pas marrjes së fuqi të komunistëve, në korrik 1945 gjer në maj 1946 punoi atashe shtypi në legatën shqiptare në Beograd, ku i shoqi shërbeu si ambasador. Më vonë u emërua Drejtoreshë e Arsimit të Lartë dhe për një kohë shumë të gjatë ka drejtuar Bashkimin e Grave të Shqipërisë. Më 1960-1965 ndoqi Fakultetin Histori-Filologji.