Loading...

 

Nga Fatos Salliu

Më 22 dhe 23 qershor të vitit 2017, në kuadër të nismës “Për një Drejtësi pa vonesa”, Gjykata e Shkallës së Parë në Elbasan ndërmori këto objektiva:

Për çështjet civile:

Të reduktohet mesatarja e numrit të seancave nga 3,7 në 3,5.

Për çështjet penale:

Të reduktohet mesatarja e numrit të seancave nga 3,1 në 3.

Seancat joproduktive:

  • Ulja e volumit të seancave joproduktive në çështjet penale nga 35% në 20%.
  • Ulja e volumit të seancave joproduktive në çështjet civile nga 29% në 20%.

Por si po realizohen këto objektiva në realitet?

Për këtë qëllim po iu sjellim rastin e odiseve të seancave gjyqësore të krimit të ndotjes së mjedisit në Elbasan të cilat kanë nisur që në vitin 2013 e ende nuk kanë përfunduar edhe sot.

Konkretisht hetimet e nisura në vitin 2013 kundër dy kompanive dhe një zyrtari duket se nuk do të kenë fund as në vitin 2019. Janë dashur plot 5 vjet që dosja të shkojë në gjykimin paraprak pas hetimeve dhe një raporti studimor të ekspertëve në lidhje me ndotjen e ujërave në zonën e ish metalurgjikut.

Përgjatë seancave gjyqësore, palët e përfshira në hetim nëpërmjet avokatëve dhe procedurave,  kanë vijuar të marrin kohë deri në seancën e radhës duke bërë kështu që gjyqi i vërtetë, i pari i këtij lloji të jetë ende larg. Kompania Kurum Internacional, R.B.H Beline dhe një zyrtar i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit janë përballë Prokurorisë nën akuzën “Ndotje e ujërave”, të parashikuar nga neni 203/1 i Kodit Penal dhe “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Një tjetër procedim penal për ndotje është regjistruar në 04.05.2018 sërish për veprën penale të ndotjes ku përfshihet shoqëria R.B.H Beline. hetimet e së cilës janë ende në vazhdim.

Protestat e banorëve

Fillimisht hetimi nisi për kompaninë Kurum dhe në vazhdim akuza bashkoi dhe një kompani tjetër kur në funksion hyri një uzinë e re, ajo pe përpunimit të naftës R.B.H Beline. Në qershor të vitit 2017 banorët e fshatrave Balldren dhe Vidhas nisën një protestë kundër ndotjes së ajrit dhe ujit. Ata zgjoheshin nën ajrin e rëndë të naftës dhe po kështu shikonin se si kanalet vaditëse po mbuloheshin nga nafta. Gjatë një takimi elektoral ata u ankuan pranë deputetit Taulant Balla i cili iu bashkua protestës së tyre në prag të zgjedhjeve duke kërkuar respektimin e kërkesave të banorëve.

Pikërisht në këtë periudhë Agjencia Kombëtare e Mjedisit i nis kërkesë kompanisë R.B.H për dërgim dokumentacioni. Në këtë shkresë Ministria i kujton kompanisë se nuk ka dorëzuar ende Regjistrin e Shkarkimeve dhe Transferimit të Ndotësve. Sa i përket raportit të vetëmonitorimit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka kërkuar dokumentacion shtesë.

Për pak ditë gjatë stinës së verës dhe gjatë ditëve të zgjedhjeve 2017 pati një ndalesë të derdhjeve të naftës dhe banorët mundën të vadisin arat e tyre pa naftë, por kjo situatë nuk ka marrë zgjidhje. Ndërsa kalon në pjesën e poshtme të Vidhasit uji me naftë qarkullon ende në kanalizimet e tyre. mëngjes e shihni e ndjeni si jetojmë ne këtu” shprehet Shpresa, një prej banorëve të Vidhasit.

Hetimi për krim mjedisor në sfidë me kohën

Në vitin 2013 ishte regjistruar një procedim pas problemeve të mëdha mjedisore të hasura në zonën e ish metalurgjikut. Ndërkohë në prill të vitit 2015 nisi një hetim për krim mjedisor me procedurë nga policia në bashkëpunim me Prokurorinë Elbasan.  “Shërbimet Komisariatit të  Policisë Elbasan nga inspektimi i kryer pranë  Kompanisë “Kurum Internacional” Elbasan  kanë konstatuar shkelje të ndryshme që parashikohen nga veprat penale “Ndotja e ajrit”, ”Transportimi i mbeturinave toksike” dhe “Ndotja e ujrave” parashikuar nga nenet 201,202 dhe 203 i Kodit Penal,” thuhej në njoftimin e policisë.

Neni 201 i kodit penal e dënon ndotjen e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Por kur ndotja shkakton dëme shëndetësore dënohet me deri dhjetë vjet burg.

Neni 202 dënon transportimin e lëndëve toksike me burgim nga një deri në pesë vjet burg dhe nëse ka sjellë dëme për jetën dhe shëndetin, dënohet me deri dhjetë vjet burg. Me të njëjtën masë dënohen edhe shkelësit e nenit 203.

Prokuroria kontraktoi një ekspert të mjedisit për të vërtetuar akuzat e ngritura. Në studimin “Vlerësimi i elementëve në shtresën e tokës bujqësore” të Sazan Gurit përfundimet janë shqetësuese. “Në tokat primitive (jo bujqësore) të zonës përreth fabrikës së Kurumit, përmbajtja e kalciumit është shumë e lartë dhe arrin deri në masën 22.43% ndërkohë ka koncentrim të lartë mangani, nikeli dhe plumbi. Në tokat primitive (jo bujqësore) jashtë inventarit të Ministrisë së Bujqësisë, por që aktualisht shfrytëzohen). Më shqetësues është përfundimi se përqendrimi i zinkut në këto toka është toksik(100ppm).  Studimi i kryer nga dr. Odeta Tota përgjatë viteve 2012-2015 në kuadrin e doktoraturës, e cila kreu mbi 200 matje dhe analiza laboratorike, na jep këtë panoramë të ndotjes së mjedisit e fokusuar më shumë te toka, ku; më shumë se 400,000 ton mbetje të ngurta, përmbajnë okside  metalike (Si, Mg, Al, Cr, Fe) dhe të dhënat tregojnë për nivele shumë të larta të ndotjes nga metalet e rënda. Përmbajtja e nikelit shkon nga 400 deri në 28,000 ppm në zona të veçanta ku, për 70-400 quhet toksike pra është 5 herë deri 400 herë  më i lartë se standardi evropian.

Sipas këtyre studimeve për elementin plumb në pjesën më të madhe të territorit vihen re vlera nga 400 deri në 800 ppm, por në disa zona të veçanta shkojnë 5,000-20,000 ppm;  Për elementin zink në pjesën më të madhe të zonës së studiuar vlerat shkojnë në kufinjtë 400-5000 ppm por në disa pjesë të veçanta vlerat variojnë deri në 5000-20000 ppm. Zinku (Zn), për 10mg/kg që quhet përmbajtje normale në tokë dhe për 100 quhet toksike që do të thotë 17-70 herë më të lartë se norma. E njëjta tendencë vihet re edhe për elementin hekur. Në pjesën më të madhe të zonës dominojnë vlera tejet të larta të Fe që variojnë nga 14,000 deri në 80,000 ppm. Bakri është 3 deri në 5 herë më i lartë se norma evropiane. Nikeli, kromi dhe plumbi janë shumë të larta e që shkojnë përtej kufijve të lejuar për tokat bujqësore. Ndërkohë karboni haset në sasinë 2000 ppm në distancë 6 kilometër nga burimi ndotës duke konfirmuar vlera të larta të ndotjes së këtyre fushave deri në 50 herë mbi kufirin e lejuar. Nivele të larta të këtyre elementëve ruhen deri në distancën 6 km nga burimi ndotës.

Të dhënat gjeokimike, veçanërisht në mostrat e tokës, tregojnë që tokat kanë një ndotje të madhe, si pasojë e depozitimit të mbetjeve brenda kompleksit metalurgjik, si dhe precipitimit të grimcave të pafiltruara të pluhurit.

Cilësia e ujërave sipërfaqësore: Cr, Cr VI dhe Fe zbuluan se tejkalojnë standardet përkatëse të cilësisë në 2 nga 3 mostra të marra.

Nga sa më sipër kuptohet se, nisur nga përmbajtja e lartë, madje me dhjetëra e qindra herë më e lartë se standardi apo norma, aktiviteti industrial është faktori dhe shkaku kryesor i kësaj situate.

Në pjesën juglindore të shkrirjes së ferrokromit, si dhe në pjesën lindore të kompleksit (mostrat 103,104 dhe 104) janë gjetur përqendrime të larta të Cr, Fe, Ni dhe pjesërisht Mg. Prania e fabrikës së çelikut luan një rol të rëndësishëm në lidhje me përqendrimet e larta të hekurit.

Rezultatet nga rajoni i Elbasanit tregojnë se ka një ndikim të qartë në kompleksin metalurgjik, kryesisht në mostrat e dheut dhe pluhurit dhe më pak ose madje mungojnë për sendimentet dhe lumenj. Vlera mesatare e përmbajtjeve të Cr, Fe, Co dhe Ni të mostrave të pluhurit janë midis 6 dhe 10 herë më të larta se përqendrimet e sfondit natyror. Meqenëse grimcat e pluhurit kanë përqendrimet më të larta të metaleve të rënda dhe lëvizshmërinë më të lartë, për shkak të erërave të para, ata janë gjithashtu një shqetësim i madh për njerëzit që punojnë në njësitë industriale dhe njerëzit që jetojnë në zonën përreth.

Konkluzioni i nxjerrë nga Universiteti Bujqësor i Kamzës ritheksohet edhe nga ky studim, ku kompanitë me aktivitet në zonën e ish metalurgjikut ndikojnë dukshëm në përqendrimet e larta të metaleve të rëndë në bankot e lumit Shkumbin në drejtim të rrjedhjes, të tokave, dhe të ujërave sipërfaqësorë që tregojnë se janë shkarkimet në ajër dhe në ujërat e kanalizuara që japin një panoramë të tillë mjedisore në këtë zonë.

Për tu ndalur tek analizat e ujit të pijshëm të realizuara në laboratorin e Agjencisë Kombëtare e mjedisit nga eksperti Sazan Guri rezultojnë në nivele të larta grimcat pezull si dhe yndyrnat dhe vajrat në ujë. Studimi i plotë është në dosjen e hetimit të prokurorisë Elbasan. Analizat janë zhvilluar gjatë muajve korrik, gusht, shtator të vitit 2017.

Banorët jetojnë mes ndotjes së ajrit dhe ujit

Në zonën e Bradasheshit jetojnë mbi 10 mijë banorë me lëvizje të çrregullta ndërkohë që janë rreth 5 mijë banorë, që jetojnë në vijë ajërore më pak se një kilometër nga ndotësit e mëdhenj si pjesë e fshatit Katund i Ri dhe Balldren.

Balldreni dhe Vidhasi, dy fshatra të njësisë administrative Papër, janë përcaktuar dy fshatrat më të ndotur në zonën përreth metalurgjikut, kjo sipas ekspertëve ka lidhje me trëndafilin e erërave që e shtyn ndotjen e ajrit në jug-perëndim dhe ujërat në të njëjtin drejtim për shkak të rrjedhës së lumit Shkumbin.

Vaja me banim në Vidhas thotë se në fshatin e tij ka shumë persona që kanë ndërruar jetë për shkak të sëmundjes së kancerit. “Kanceri vjen nga ndotja e madhe që pësojmë @do ditë. era e squfurit, e naftës dhe pluhuri kalojnë tek ne, fëmijët tanë dhe më të dobëtit e pësojnë” shprehet ai. Ndërkohë fshati Balldren ndodhet edhe më afër zonës së ndotur. Banorët kanë vënë re rritjen e numrit të azmatikëve sidomos tek fëmijët vitet e fundit. Ata thonë se presin nga shteti të kontrollojë ndotësit pasi gjatë natës industria punon në të gjithë potencialin e saj ndërsa kontrolli është zero. D. Metalla, banor i Balldrenit thotë se ka në familje njerëz që vuajnë nga azma, e cila sipas mjekëve ka ardhur nga ndotja e mjedisit. “Nipi im vuan nga azma. E kemi çuar në mjekët më të mirë dhe të gjithë na kanë thënë që ka ndikuar vend. I kemi ndërruar vend dhe është përmirësuar. Po kështu ka pasur dhe të tjerë që kanë vdekur nga kanceri. Kaq raste tregojnë se ka të bëjë ajri që thithim”.

Odiseja e seancave gjyqësore

Seanca e parë e gjykimit paraprak para dërgimit në gjyq është regjistruar në 12.09.2018 me gjyqtar Tomorr Kullollin. Prokuroria Armanda Xhaferri ka prezantuar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq në bazë të nenit 331 të Kodit të Procedurës Penale.  Ish zyrtari i Inspektoriatit të Mjedisit ka paraqitur pretendimet e tij dhe shoqëria Kurum Internacional ka paraqitur si prova hartat e kanalizimeve si dhe pusetat e komunikimit me Tullat Refraktare, të cilat deklaruan se nuk kanë pasur mundësi t’i paraqesin në gjykatë. Prokurorja, në kërkesën për gjykim, ka paraqitur materialet dhe provat shkresore në 5 volume. Avokatët kanë prezantuar parashtrimet e tyre.

Një prej materialeve ishte dhe ekspertimi i ekspertit Sazan Guri, për të cilin pala mbrojtëse ka deklaruar se nuk është njoftuar kur eksperti ka hyrë në objekt. Prokurorja është mbrojtur me faktin se të pandehurit nuk kanë qenë të tillë në momentin e ekspertimit dhe mostrat janë marrë ku është dyshuar për ndotje. Gjykata ka administruar të gjithë fashikujt dhe provat nga palët në proces. Në përfundim të dorëzimit të provave prokurorja Xhaferri ka kërkuar pranimin e kërkesës për dërgim në gjyq të procedimit penal 1567 të vitit 2013 me 5 volume. Palët mbrojtëse Kurum Internacional, R.B.H Beline dhe një zyrtar i Inspektoriatit të Mjedisit kanë kërkuar pushimin e çështjes.

Në vazhdim gjykata vendosi kthimin e akteve të procedimit penal ndaj të pandehurve. Ndërkohë seanca për pretendimet e prokurorisë u zhvillua në  20.12.2018, 2 muaj pas shpalljes së vendimit dhe një javë para seancës gjyqësore. Prokurorja Xhaferri deklaroi gjatë seancës së radhës se vendimin e ka marrë me vonesë, gjykata nuk ka analizuar provat dhe veprimet hetimore duke e kthyer çështjen për hetim vetëm me pretendimit për tu dhënë përgjigje të pandehurve pa përcaktuar veprimet hetimore konkrete që sipas gjykatës nuk janë kryer dhe duhet të bëhen në vazhdim.

Të pandehurit nuk kanë kërkuar veprime hetimore shtesë por pushimin e çështjes. Gjykata i ka dhënë përgjigje këtij pretendimi sipas prokurores Xhaferri, për mungesë arsyesh për pushimin e çështjes gjë që automatikisht do të thotë pranim i çështjes për gjykim. Në pretendimin e saj prokurorja deklaron se gjykata duhet të marrë parasysh provat dhe hetimet duke konfirmuar nëse janë të mjaftueshme për ta dërguar çështjen në gjyq. Pretendimet e avokatëve mbrojtëse kanë lidhje me gjykimin në themel dhe jo me seancën paraprake. “Eksperti duhet të thirret në seancë gjyqësore dhe jo në atë paraprake pasi aktekspertimi është pranuar si provë nga ana e gjykatës gjatë seancave praprake.

Gjykata ka vendosur t’i japë 3 muaj kohë prokurores për pretendimet e ngritura në seancat paraprake.

Në seancën e 20 marsit 2019 palët kanë kërkuar të njihen me hetimet shtesë nga ana e prokurorisë, materiale të cilat i janë vënë në dispozicion palëve duke lënë si seancë të radhës në 09.04.2019.

Gjykata po vazhdon diskutimin në seancë paraprake për të vendosur nëse çështja do të shkojë në gjykim.

Loading...
Loading...