Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim u arrestua nga policia e Lezhës në një operacion të koduar “Godull 2020” ku u përfshinë policia Lezhë, Kurbin, RENEA dhe Interpol Tirana.

Në bazë të informacioneve të marra nga strukturat e policisë për vendndodhjen e një personi të kërkuar, në bashkëpunim me Forcat Speciale “Renea” dhe Interpol Tirana, në kushte të larta sigurie në orët e para të mëngjesit, në fshatin Godull, rrethuan banesën e A. J. alias A. Zh., 40 vjeç, duke bërë të mundur prangosjen e tij.

40-vjeçari ishte person i shpallur në kërkim kombëtar nga Komisariati i Policisë Kurbin, pasi Gjykata e Shkallës Parë Kurbin i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”.

Gjithashtu, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Romës, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grabitja me armë ”, “Plagosja” dhe “Armëmbajtja pa leje”. Maksimumi i dënimit për këto vepra penale është 20 vjet burg.