Loading...

 

Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhja, bën të ditur se situata problematike me aksidentet në rrugë dhe sjelljet jo të mira lidhen edhe me pajisjen me patentë të personave që nuk e kanë merituar. Tashmë sipas Gonxhes, në çdo automjet ku do të kryhet testi i praktikës për marrjen e patentës do të ketë kamera që filmon çdo situatë dhe me zë. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor në faqen e saj zyrtare bën të ditur ka hequr 1200 pyetje nga testi i patentës. “Ka njerëz dhe komisionerë që kanë sjellje negative, por detyra jonë është që testi të jetë objektiv dhe i saktë. Të mos i hahet askujt haku për personat që mësojnë e përgatiten për testin. Kemi hequr 1,200 pyetje që ishin një çark për të futur dhe ata që mësonin në kurth dhe kemi korrigjuar rreth 1,800 pyetje të tjera, duke rregulluar rreth 70% të pyetjeve të testit të teorisë. Është mundësuar simulimi i testit zyrtar ‘online’ për të gjithë qytetarët pa pagesë në faqen zyrtare të DPSHTRR. Ndërkohë, ka nisur puna për implementimin fizik të sistemit intereaktiv të monitorimit ku do lidhen gjithë sportelet, sallat e testimeve, mjetet e autoshkollave gjatë testit të praktikës në qarkullim, ambientet administratë e oborre, kontrolli fizik, poligonet e testimit të manovrave të parkimit, arkivat, sistemet e radhës etj., çka do ta ngrenë shërbimin, sigurinë e testimeve, kredibilitetin ndaj çdo afere/abuzimi në një nivel të panjohur më parë. Për të rritur standardin dhe monitorimin për testimin praktik të kandidatëve, DPSHTRR ka planifikuar investime në poligonet e testimit praktik të kandidatëve për t’u pajisur me leje drejtimi në 8 qytete kryesore të Shqipërisë për vitin 2020”, tha Gonxhja. Ndërkohë për targat e reja, Gonxhja është shprehur se kanë 15 elemente sigurie dhe që nuk mund të falsifikohen. “Targat e reja tashmë do të aplikohen për të gjitha regjistrimet e reja të mjete apo ndërrime që lidhen me humbjen, vjedhjen apo dëmtimin e targave. Targat përmbajnë 15 elementë sigurie, kanë një barkod unik progresiv që reflektohet në sistem. Është e pamundur të falsifikohet. Targat e tjetërsuara, targat e falsifikuara duhet të hiqen nga mendja. Targat tona të reja, më të mirat në rajon dhe në standardet e BE-së”, tha Gonxhja.

Ndryshimet
Viti 2020 do të jetë viti i sigurisë rrugore. Këtë theksoi ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, gjatë tryezës së mbajtur sot në Tiranë për të diskutuar mbi ndryshimet në Kodin Rrugor, që pritet t’i propozohen qeverisë. Gjatë tryezës, ku merrnin pjesë edhe ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku dhe kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu si edhe specialistë të Sigurisë Rrugore. Ministri nënvizoi se deri në fund të muajit shkurt do punohet për të pasur një listë të masave dhe ndryshimeve ligjore për Kodin Rrugor, që më pas do t’i paraqiten qeverisë. Leshaj tha se do jenë një sërë masash të reja që do të diskutohen, me qëllim uljen e aksidenteve në vend. Një prej këtyre masave ka të bëjë edhe me “testin e idiotit” për sjelljen e përdoruesve të rrugës.

“Testi i idiotit”

Testi i idiotit/Idiotentest” që u përmend nga ministri bazohet në modelin gjerman. Në Gjermani mbase nuk mund të ketë një ndëshkim më të keq për një drejtues automjeti. Konsiderohet si një makth për shoferët gjermanë dhe nuk është vetëm i vështirë, por gjithashtu kushton kohë dhe para. Në disa raste ky test është i paevitueshëm, sepse nuk do të mund të marrësh mbrapsht patentën pa e kaluar atë. Në fakt, për të arritur në një ndëshkim të tillë duhet të kesh bërë një shkelje të rëndë. Testimi mjeko-psikologjik zakonisht aplikohet tek ata që kapen të dehur ose nën përdorimin e drogës ndërsa ngasin makinë. Gjithsesi, alkooli dhe droga nuk janë arsyet e vetme pse dikush i nënshtrohet këtij testi. Nëse ju parkoni rregullisht makinën në të njëjtin vend, edhe pse parkingu aty është i ndaluar, policia mund të të detyrojë që të bësh testin. Nëse vazhdon të bësh të njëjtin gabim, me shumë siguri keni nevojë për një test psikologjik.

Loading...