Presidenti Ilir Meta do të depozitojë të hënën në SPAK një kallëzim penal në drejtim të ministres Etilda Gjonaj, për shkeljen që ajo ka kryer gjatë ushtrimit të detyrës së saj.

Bëhet fjalë për botimin në Fletoren Zyrtare të një vendimi të KED, që lidhej me emërimin e Arta Vorpsit në Gjykatën Kushtetuese.

I pyetur nga gazetarët nëse ka besim se SPAK do të nisë hetimet ndaj ministres, Meta tha se ai mendon se në atë isntitucion ka njerëz me integritet që do të zbatojnë ligjin.

Pjesë nga fjala e Metës:

Të gjithë u njohën dje me shkeljen e detyrës, me rrëmbimin e kompetencave dhe me falsifikimin e kryer nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë tentativë flagrante për grusht shteti, rezulton të jetë e përfshirë drejtpërdrejtë ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, dhe për këtë presidenca ka siguruar, dhe do të sigurojë prova që do ti çohen shumë shpejt SPAK-ut.

Ministrja e Drejtësisë duke urdhëruar sekretarin e përgjithshëm ka shkelur ligjir për organizimin e botimeve në fletoren zyrtare. Vendimet e KED nuk mund të botohen në asnjë rast në fletoren zyrtare, por vetëm në faqen zyrtare në internet të këtij institucioni.

Ministrja e Drejtësisë nuk ka asnjë të drejtë për botimet në Fletoren Zyrtare. Po bëhen 24 orë nga publikimi i këtyre provave, ku ministrja e drejtësisë ka shpërdorurar detyrën, brenda ditës së hënë do të depozitoj në SPAK kallëzimin penal për ministren në detyrë të drejtësisë Etilda Gjonaj.

Duke qenë se ministrja e ka zbehur besimin e presidentit, që e ka emëruar me dekret në atë pozicion, do të mirëprisja deri ditën e hënë dorëheqjen e saj, në mënyrë që të përballej me drejtësinë, pa qenë në detyrë.