Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino. ka shpjeguar procedurat e ceremonisë mortore për personat që që kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Në një deklaratë për mediat, Bino theksoi se për të gjithë personat që humbin jetën nga sëmundjet infektive ka një ligj të veçantë për varrimin.

Sipas saj, një prej rregullave të parashikuara në ligj është se arkivoli nuk lejohet të hapet.

Ajo tha:

Sa i përket të vdekurve, që humbin jetën nga sëmundjet infektive ka një ligj të përcaktuar dhe varrimi dhe arkivoli dhe të gjitha masat merren në bazë të këtij ligji, si psh arkivoli nuk hapet, pra janë disa rregulla të përcaktuara të varrimit.
Kujtojmë këtu që numri i viktimave nga koronavirusi në vend ka shkuar në 4, ndërsa numri i të infektuarve ka arritur në 104.

Ditën e sotme ndërroi jetë një biznesmen 43-vjeçar nga Kavaja, i cili ishte diagnostikuar pak ditë më parë me Covid-19, ndërsa mbrëmjen e kaluar ndërroi jetë një 71-vjeçar nga Kuçova, i cili u përcoll për në banesën e fundit sot paradite, ku e pranishme në ceremoninë mortore ishte vetëm bashkëshortja e tij.