Shqipëria shpalli për 30 ditë gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë territorin për shkak të situatës nga koronavirusi, ku deri tani janë shënuar 5 viktima, ndërsa numri i të infektuarave ka shkuar në 123, teksa i gjithë vendi ndodhet në karantinë totale dhe i izoluar. Gjendja e emergjencës parashikon kufizimin e të drejtave të garantuara nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve (lexo ketu).

Por në fakt, disa nga të drejtat që parashikohen që të kufizohen me gjendjen e fatkeqësisë natyrore janë kufizuar prej disa ditësh, pasi ndalohet dalja jashtë orarit të përcaktuar, lëvizja nga qyteti, dalja nga vendi, mbyllja e bizneseve, etj! Gjithashtu qeveria miratoi edhe paketën social-ekonomike duke i dalë përpara këtij vendimi. Pra me vendimin për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, qeveria vendimet që ka marrë deri tani i mbështet ligjërisht.

Por kush do ta drejtojë? Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile (KNEC) i ngritur në nëntor të vitit të kaluar për gjendjen e jashtëzakonshme nga tërmeti tragjik në tre qarqe, do të organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve financiare e materiale për përballimin e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Anëtar i KNEC-së me vendim të qeverisë caktohet dhe ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj.

Në mbledhjet e KNEC-së marrin pjesë, me kërkesë të kryetarit, përfaqësues të organeve të ndryshme publike, të biznesit, ekspertë/ profesionistë të fushës së mjekësisë e të shëndetit publik dhe përfaqësues të shoqërisë civile ose drejtues të OJF-ve me objekt veprimtarie shëndetin publik dhe ndihmën humanitare. Instituti i Shëndetit Publik caktohet në rolin e Sekretariatit Teknik të KNEC-së, për çështje të fatkeqësisë natyrore të shpallur për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Por çfarë ndodh nga nesër, pasi në fuqi sot u fut vendimi për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore? Masat e jashtëzakonshme në kushtet e gjendjes së fatkeqësisë nga koronavirusi prekin të gjitha institucionet, që duhet të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, ndërsa edhe buxhetin duhet ta rivlerësojnë në bazë të situatës së krijuar. Institucionet përveç vendosjes në dispozicion të burimeve njerëzore e logjistike duhet të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion. Institucionet aktivizojnë dhe organizojnë procedurën e karantinës për popullsinë e rrezikuar.

Çfarë ndalohet? “Në gjendjen aktuale të fatkeqësisë natyrore ndalohen tubimet, manifestimet dhe grevat. Gjithashtu kufizohen aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike. Kufizohet lëvizja e lirë për brenda ose jashtë shtetit në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore. Subjektet private në këtë gjendje që ndodhet aktualisht vendi janë të detyruara që të mbyllin ose të kufizojnë përkohësisht veprimtarinë e tyre. Po, ashtu kufizohet zhvillimi i aktiviteteve ekonomike për subjektet private në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore, pra mbyllja e bizneseve të përcaktuara në vendim. Për mjetet e angazhuara në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore nuk vilet tarifa e kalimit rrugor”. Praktikisht shumica e këtyre masave janë marrë nga qeveria, ndërsa tani mbështeten në ligj.

VENDIMI I PLOTE NGA QEVERIA
PËR SHPALLJEN E GJENDJES SË FATKEQËSISË NATYRORE
Në mbështetje të neneve 100, 170, 174, pika 1, e 175, pika 2, të Kushtetutës, dhe të shkronjës “ç”, të nenit 18, të pikës 1, të nenit 19, dhe të pikës 1, të nenit 39, të ligjit nr.45/2019, “Për mbrojtjen civile”, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe të ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjithë Republikën e Shqipërisë për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

2. Kufizimin e të drejtave të garantuara nga nenet 37, 38, 41, pika 4, 49 dhe 51 të Kushtetutës deri në masën që konsiderohet e domosdoshme për të arritur ruajtjen e shëndetit të shtetasve.

3. Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile (KNEC), i ngritur me vendimin nr.750, datë 27.11.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë”, të ndryshuar, është organi më i lartë për koordinimin dhe bashkërendimin e veprimeve të institucioneve shtetërore dhe të subjekteve private, si dhe të burimeve financiare e materiale për përballimin e fatkeqësisë natyrore për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19, deri në 30 (tridhjetë) ditë nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Anëtar i KNEC-së caktohet dhe ministri i Shtetit pë Rindërtimin.

4. Në mbledhjet e KNEC-së marrin pjesë, me kërkesë të Kryetarit, përfaqësues të organeve të ndryshme publike, të biznesit, ekspertë/profesionistë të fushës së mjekësisë e të shëndetit publik dhe përfaqësues të shoqërisë civile ose drejtues të OJF-ve, me objekt veprimtarie shëndetin publik dhe ndihmën humanitare.

5. Instituti i Shëndetit Publik caktohet në rolin e Sekretariatit Teknik të KNEC-së, për çështje të fatkeqësisë natyrore të shpallur për shkak të epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

6. Për përballimin dhe lehtësimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore merren masat e jashtëzakonshme, si më poshtë vijon:

6.1. Institucionet publike:

a) të realizojnë plane masash organizative dhe administrative për përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore;

b) të përdorin burimet financiare të parashikuara në buxhetin vjetor, si dhe të rivlerësojnë buxhetin e tyre vjetor, në përputhje me kryerjen e shpenzimeve shtesë të paparashikuara;

c) të vënë në dispozicion burimet njerëzore e logjistike;

ç) të caktojnë objektet shtetërore në përgjegjësinë e tyre të administrimit, që mund të vihen në dispozicion për strehimin e popullsisë së evakuuar;

d) të kufizojnë aksesin në ambiente publike, të cilat kanë një frekuentim të gjerë;

dh) të ndalojnë tubimet, manifestimet dhe grevat;

e) të kufizojnë aktivitetet në minimumin e domosdoshëm për të gjitha organet publike;

ë) të vendosin në karantinë të gjithë personat e konfirmuar ose të dyshuar se janë të prekur nga COVID-19;

f) të krijojnë dhe të sigurojnë zonat e karantinës me personel, të cilit t’i sigurohen të gjithë masat parandaluese për të evituar infektimin;

g) të garantojnë kushtet dhe stafin e kualifikuar për kurim të specializuar në qendrat e karantinës;

gj) të pajisin të gjithë punonjësit e qendrave spitalore dhe shëndetësore me bazën e nevojshme materiale për shmangien e infektimit.

6.2. Strukturat operacionale të sistemit të mbrojtjes civile:

a) të vendosin dhe të zbatojnë masa të veçanta për garantimin dhe rritjen e sigurisë së shtetasve në zonat e prekura nga fatkeqësia;

b) të aktivizojnë dhe të organizojnë procedurën e karantinës për popullsinë e rrezikuar;

c) të organizojnë kontrolle të njëanshme të banesave dhe objekteve private për evidentimin dhe trajtimin e personave të prekur nga virusi;

ç) të kufizojnë lëvizjen e lirë për brenda ose jashtë shtetit në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;

d) të kufizojnë organizimin e grevave;

dh) të kufizojnë zhvillimin e aktiviteteve ekonomike për subjektet private në përputhje me nevojat e diktuara nga fatkeqësia natyrore;

e) të japin ndihmën e parë ndaj personave të prekur nga virusi dhe të realizojnë transportimin e të prekurve për në qendrat spitalore ose në infrastrukturën e karantinës;ë) të organizojnë procedurat e detyruara për kryerjen e shërbimeve funerale.

6.3. Subjektet private:

a) të respektojnë procedurat dhe masat për karantinën;

b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;

c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisënatyrore;

ç) të mbyllin ose të kufizojnë përkohësisht veprimtarinë e tyre;

d) të mos vjelin tarifat e kalimit rrugor për mjetet e angazhuara në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

6.4. Shtetasit:

a) të zbatojnë urdhrat, masatdhe udhëzimet e autoriteteve të mbrojtjes civile, si dhe të ndjekin procedurat e kërkuara, në mënyrë të veçantë për karantinën dhe pezullimin e aktiviteteve;

b) të informojnë lidhur me të dhënat që ndihmojnë institucionet publike dhe strukturat e mbrojtjes civile në përballimin e gjendjes së fatkeqësisë;

c) të përfshihen në detyra të veçanta, në përputhje me përgatitjen, aftësitë dhe me nevojën për të ndihmuar në kapërcimin e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.

7. Të gjitha të drejtat dhe liritë e kufizuara me akte, të dala në zbatim të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, dhe me aktin normativ nr.3, datë 15.3.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar, mbeten në fuqi.

8. Ngarkohen Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile dhe të gjitha institucionet shtetërore dhe publike për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.