Kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në facebook ka njoftuar lehtësimin e masave shtrënguese, që u ndërmorën pas shpërthimit të koronavirusit në vend.
Rama bën me dije se nga e hëna do të zgjatet fasha orare deri në orën 17:30 për shërbimet ushqimore, farmaceutike dhe bankare.

Gjithashtu do të zgjerohet brenda javës së ardhshme, me kushtin nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual, mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik dhe do të miratohen në parlament risitë e kodit penal / rrugor për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të epidemisë

Kryeministri thotë se lehtësimi i masave do të ndodhë, pasi kurba e infeksionit në ditët e fundit ka pësuar ulje të ndjeshme dhe mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me armikun e padukshëm.

Kryeministri Rama ne FB:

🔴në kushtet kur kurba e infeksionit është më e ulët se pritshmëria jonë më optimiste, si rezultat i masave të forta që kemi marrë në kohën e duhur dhe rezistencës fantastike të popullit në unitet me shtetin;

🔴në kushtet kur mund të shohim me optimizëm të arsyeshëm fundin e muajit maj si një dalje nga kjo fazë e parë përballjeje të gjithanshme me armikun e padukshëm, ku një pjesë e madhe e aktivitetin ekonomik mund të rikthehet në një normalitet të ri dhe shumë kush mund të rikthehet në punë, me rregulla të mirëpërcaktuar natyrisht;

🔴 në kushtet kur duhet të përballojmë dyzet ditë shumë të rëndësishme, për fitoren e kësaj faze vendimtare të rezistencës sonë të përbashkët, duke u hapur me kujdesin më të madh e me disa hapa shumë të matur, duke vendosur njëkohësisht masa të rrepta penale për shkelësit, që të blindojmë rezultatet e arritura me sakrificë ditë pas dite dhe të mbajmë mbyllur çdo shteg rikthimi të armikut;

🟢 do të zgjerojmë duke nisur nga e hëna fashën orare të shërbimeve ushqimore, farmaceutike dhe bankare, deri në orën 17.30

🟢 do të zgjerojmë brenda javës së ardhshme (nëse kurba e infeksionit do të qëndrojë në trendin aktual) mundësinë e lëvizjes me automjet privat të atyre që punojnë në hapësirën e lejuar të aktivitetit ekonomik

🟢 do të miratojmë javën që vjen në parlament risitë e kodit penal / rrugor për periudhën e gjendjes së jashtëzakonshme të epidemisë

🟢 do të përgatisim brenda javës tjetër rregulloren e standardeve bazë të sigurisë për njësitë ekonomike të shërbimit që do të hapen në javët e mëtejshme