Petrika Trajani

Ish-oficer tankist

Perikli Çuni

Ish-Kom. Brigadës së Tankeve Elbasan

Brigada e Tankeve Elbasan, model në Ushtrinë Shqiptare

Është bërë traditë që ish-kuadrot ushtarakë të brigadës së tankeve të Elbasanit të takohen përherë në muajin tetor, datë kur më 1965 u krijua kjo njësi tankiste e dalluar dhe pararojë jo vetëm në repartet tankiste, por dhe në gjithë ish- Ushtrinë tonë Popullore deri në vitin 1991. Brigada XII e tankeve u formua me urdhër të Ministrisë së Mbrojtjes, Nr. 0236, dt. 21.8.1967 mbi bazën e batalionit të dytë ekzistues dhe me numër konvencional: Reparti Ushtarak Nr. 9824. Për organizimin e kësaj njësie u ngarkua ish-Drejtori i Drejtorisë së Tankeve në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, Adnan Qatipi, ndërsa për drejtimin dhe komandimin e saj u emëruan kuadrot e vjetër dhe me përvojë Hajrulla Muhametaj, Aleko Koka, që u bë komandant i parë i kësaj brigade, komisar Qemal Gjoliku, shef shtabi Kujtim Dajlani, zv/komandant për teknikën Niko Koço, ndërsa komandant repartesh Vangjel Sopi, Spiro Vila, Qamil Kola dhe Hysen Shera. E përqendruar në një pozicion gjeografik tepër të rëndësishëm, në kodrat e Krastës, detyrat dhe drejtimet luftarake në krahasim me ato të batalionit ekzistues (mbi bazën e të cilit u krijua brigada) ishin shumë e shumë më të rëndësishme.

Gjatë gjithë ekzistencës së saj, Brigada e Tankeve të Krastës, ka qenë një njësi pararojë dhe ka marrë pjesë në shumë stërvitje me trupa së bashku me këmbësorinë në stërvitje komando-shtabi dhe në mjaft stërvitje treguese me qitje luftarake, siç ishin stërvitja në Belsh, stërvitja “Tomorri 1968”, stërvitja komando-shtabi “Shpiragu 69”, “Gramozi 70”, stërvitja me trupa “Peza 72” etj. Fillimisht kjo njësi ishte Rezervë e Komandës së Përgjithshme (RKP), më vonë shërbeu në vartësi të Grupimit 8, Elbasan, dhe në vitet 1982 – 1990 në vartësi të Divizionit të Parë të Këmbësorisë Elbasan. Me daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës në vitin 1968, brigada e tankeve kaloi në gatishmëri luftarake me detyrë mbrojtjen e territorit dhe goditjen e desantit ajror në rajonin Kombinati Metalurgjik-Mjekës- Bradashesh-Gjergjan-Shirjan-Cërrik. Me pushtimin rus të Çekosllovakisë në vitin 1968, me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UP, batalioni i dytë i kësaj brigade u dislokua në Tiranë, në Sauk, pranë Pallatit të Brigadave, ku më vonë u krijua Brigada e Tankeve të Saukut. Kuadrot e këtij batalioni ishin: Komisar Muharrem Kënga, shef shtabi Osman Shehu, zv/teknik Paskal Duri, ndërsa kuadrot e trupës Luan Hasani, Isuf Baboçi, Pashk Elezi, Spiro Strori, Përparim Mullaj, Seit Disha, Llazar Gjoshe dhe Bektash Spahiu. Me vendim të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, Nr. 0190, dt. 7.6.1968, Brigadës së Tankeve të Elbasanit iu dha Flamuri Luftarak me siglën “Brigada XII e Tankeve” dhe betimin para Flamurit e bëri Aleko Koka, Komandanti i Brigadës. E vendosur në një ndërtesë madhore (dikur spital) në kodrat e Krastës, afër lumit Shkumbin, në tunele të sistemuara, me terrene e mjedise të përshtatshme, brigada mori një zhvillim të paparë nga viti në vit në saj të kujdesit dhe kontributit të kuadrove të saj: Aleko Koka, Petref Kalemi, Qemal Gjoliku, Ali Dalipi, Kujtim Dajlani, Hilmi Qato, Perikli Çuni, Mënyr Isufi, Baki Shehu, Bedri Dingu, Spiro Vila, Nuri Kaçanolli, Remzi Isaku, Eduard Shehu, Androkli Vaso, Zija Ravoniku, Kujtim Bano, Tomor Asllani, Beqir Paja, Resul Ahmeti, Vizhdan Murraj, Dioklecion Andoni, Fuat Bilbili etj.

Me kalimin e viteve njësia u ripërtëri me kuadro që mbaruan shkollën e Tankeve dhe Akademinë Ushtarake, u modernizua me teknikë luftarake dhe u kompletua me sektorë ndihmës, si prapavija, sektori teknik, reparti i ndërlidhjes, xhenios, shëndetësisë etj. Vlen të përmenden kuadrot e atyre viteve: Neki Kodra, Llazar Boçi, Mustafa Matraxhiu, Rushit Ismaili, Petrit Aliaj, Jani Prifti, Nuri Goga, Fatmir Idrizi, Alush Kasa, Hasan Ajazi, Ylli Orgocka, Petraq Ngjela, Kujtim Balla, Platon Shehu, Vlash Tanku, Ylber Hoxha, Adem Koçiu, Mazllëm Hamzallari, Pasho Osmanllari, Koço Laro, Shefki Alla, Petrit Biba, Ibrahim Troci, Robert Tili, Skënder Karaj, Ibrahim Ibrahimi, Isuf Karaj etj. Një nga faktorët kryesorë në përballimin e detyrave të saj luftarake ka qenë bërthama teknike e repartit me kuadro të zotë e të sakrificës, si Ahmet Elezi, Kujtim Ibraimi, Skënder Suparaku, Kozma Gugu, Muharrem Hoxha, Kujtim Lufta, Xhevit Rusta, Nektor Sejdini, shoferët instruktorë Thanas Belshi, Gani Pepa, Josif Çëraga, Ramazan Ushi, Osman Bajrami etj. Po kaq i rëndësishëm ka qenë edhe sektori i logjistikës i drejtuar nga kuadrot Ymer Rama, Dilaver Balla, Agim Rexhepi, Refat Tafa, Ylli Larashi, Xhevahir Langozi, Seit Mamo etj. Gjatë viteve 1967-1968 në këtë brigadë kanë kryer stazhin njëvjeçar kursantët e shkollës së tankeve të Shkollës së Bashkuar të Oficerëve Tiranë: Lavdim Suparaku, Pajtim Tefa, Neki Malaj, Fiqiret Shkreli, Vladimir Çobani, Petrika Trajani, Muhamet Rama, Shefki Alla, Vangjel Liço, Teodor Dhima, Ylli Muça, Ymer Llani, Skënder Lala, Ibraim Troci, Beqir Mene, Shefik Fejzo, Sure Mamoçi, Beqir Krymbi, Thanas Dako, Robert Tili, Aleko Marko, Veledin, Metush Fisheku, Hazis Vathi etj. Më vonë u zhvillua dhe kursi 3 mujor i inxhinierisë mekanike të UT për përgatitjen si oficera rezervistë. Kuadro dhe ushtarë të kësaj njësie që kanë shërbyer në digasteret e ushtrisë: Aleko Koka dhe Menyr Isufi, drejtorë të armës së tankeve në Ministrinë e Mbrojtjes, gjeneral-majori Baki Shehu (graduar pas vitit 1992), Qemal Gjoliku në Drejtorinë Politike të MM, Ismet Sina, komisar i Brigadës së Tankeve në Sauk, Tiranë, Petref Kalemi gjatë një kohe në detyrën e komandantit të brigadës në Elbasan, Perikli Çuni, kuadër i përgatitur dhe me dashuri të madhe për këtë repart, organizator dhe iniciator i gjithë takimeve tona të përvitshme, aq shumë i dhënë pas Armës së Tankeve.

Po të kishte një rini të dytë dhe po ta pyesin çfarë profesioni do të zgjidhte përsëri, ai do të shprehej: “Oficer tankist”. Kuadrot Eduart Shehu, Komandant i Divizionit Fier e Tiranë, Kujtim Dajlani, Komandant i Divizionit në Tiranë, Androkli Vaso, Komisar i Brigadës së Tankeve Berat, Fuat Bilbili, Komisar i Divizionit 4 Tiranë. Ish-ushtarë të kësaj brigade: Ekerem Kastrati inxhinier, Sekretar i Përgjithshëm i Kryeministrisë në qeverinë demokratike, Halil Bilbili, kryeinxhinier i uzinës “Dinamo” në Tiranë. Djali i komisar Ali Dalipit, Kujtimi, ishte futbollist i Partizanit të suksesshëm, djemtë e Remzi Isakut, basketbollistë të Elbasanit, futbollistët Fatmir Lelaj portier i Partizanit, Kiço Kotomelo futbollisti korçar që luajti me Elbasanin. Me këtë rast duhet theksuar se, krahas stërvitjes dhe gatishmërisë, nuk mungonin dhe aktivitetet e ndryshme kulturore e sportive, në mjedise dhe terrene sportive shembullore. Reparti me urdhër të MM dhe në kuadrin e reformës në ushtri, e ndërpreu aktivitetin e tij luftarak në vitin 1996. Një pjesë e kuadrove të kësaj njësie u transferuan në reparte të tjera dhe një pjesë dolën në reformë me pension të parakohshëm. Por megjithatë kuadrot ruajtën kujtimet, sakrificat dhe shoqërinë e shëndoshë që kaluan në ato vite, dashurinë dhe edukatën ushtarake. Me iniciativën e disa kuadrove, veçanërisht ish-komandantit të brigadës Perikli Çunit, Tomorr Asllanit, Jani Priftti, Hilmi Qatos dhe të paharruarit ish-komandantit të brigadës Petref Kalemit, u organizuan takimet në vitet dhe siç e theksuam më lart, u bënë disa vite rresht që në çdo muaj tetor, ne mblidhemi, gëzohemi, kujtojmë ngjarje dhe data, të gjithë në mënyrë të organizuar siç dinë të bëjnë ushtarakët dhe me pjesëmarrjen e kuadrove nga të gjitha rrethet e Shqipërisë.

Gjatë vitit 2017 në kuadër të bashkëpunimit të Shoqatës së Ushtarakëve në Pension u organizua një takim me homologët maqedonas. Në këtë rast morën pjesë Kryetari i Shoqatës së Ushtarakëve në Lirim dhe Pension, Thoma Konduri, Kryetari i Shoqatës së Oficerëve Fatmir Sinani, Perikli Çuni dhe Tomorr Asllani. Në respekt të këtij grupi u organizuan vizita në Muzeun Etnografik, Kalanë e qytetit dhe më pas në një ambient luksoz u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit. Pala maqedonase mbeti e kënaqur nga mikpritja e ushtarakëve tanë në pension që ishin të pranishëm në atë drekë. Në intervistat e tyre u thanë përshtypjet më të mira për mikpritjen, traditën, bukurinë e qytetit të Elbasanit dhe shprehën kënaqësinë për ftesën nga shoqata e ushtarakëve dhe mirëkuptimin për bashkëpunimin, duke lënë takimin në shtetin maqedonas. Respekt të veçantë për kuadrot Tomorr Asllani, Kozma Guga, Ylli Myftari dhe Sadi Balla për kontributin që dhanë në këto takime. Respekt për ish- kuadrin e kësaj njësie Riza Tafanin, i cili punoi sekretar i Byrosë së Partisë dhe zv.sekretar i Komitetit të Patrisë së Divizionit si dhe për vajzën e Rizait, Luljetën, e cila vazhdon traditën e babait me gradën majore në Drejtorinë e Inspektimit në M.Mbrojtjes. Ne këto takime kanë marrë pjesë Petrit Fico, Inxhinieri mekanik F. Marku dhe nënkryetari i shoqatës se ushtarakeve Zoi Kote. Dashurinë e miqësinë që na forcoi ky qytet me jetën e gjallë artistike, kulturore e sportive, na ka mbetur në kujtesë dhe na duket sikur përherë jetojmë në Elbasanin e bukur.

Natyrisht kjo është historia jonë, pavarësisht se një pjesë e mirë e jona erdhën nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, ne tani e ndjejmë veten elbasanas dhe për këtë jemi krenarë. S’mund të harrojmë popullin e qytetit, zonat përreth, si Shushicën, Shergjanin, Dumrenë, liqenet piktoreske të Belshit, që kanë qenë për ne bashkëpunëtorë, ushtarakë, rezervistë dhe njerëz të mirë. Elbasani, ky qytet historik të magjeps me Kalanë e shekullit IV, me Aqif Pashë Elbasanin, rrugën “Egnatia”, vëllezërit Shpataraku ikonografë të mëdhenj me shkallë botërore, Bezistanin, Dhaskal Todrin, babain e gjuhës shqipe, Kostandin Kristoforidhi, Prof. Aleksandër Xhuvanin, Lef Nosin veprimtar dhe firmëtar i Pavarësisë, Heroin e Popullit Qemal Stafën, Akademikët Mahir Domin, Dhimitër Shuteriqin, Aleks Budën, që ishte dhe Kryetar i Akademisë së Shkencave, Prof. Ylli Popën, arkeologët e shquar Hasan e Neritan Cekën, kardiokirurgu Prof. Petrit Gaçen apo kirurgun Prof. Ferdinant Paparisto. Ne jetojmë në këtë qytet të mrekullueshëm me objektet e kultit (kisha katolike, kisha ortodokse, xhami) shijojmë jetën pagane të Ditës së Verës së 14 Marsit, që e bën këtë qytet të famshëm me ballokumet tradicionale, parakalimin në bulevardin e madh, lulishten e portokalleve, përroin e Zaranikës, Hotelin Turistik, pikën turistike Gjinar, llixhat, teatrin “Skampa” me aktorët e njohur Demir Hyskja, Artist i Popullit, Astrit Çerma, këngët e Isuf Myzyrit, kënduar aq bukur nga vëllezërit Zena, Albert Tafani, Zeliha Sina, Zina Zdrava e Suzana Qatipi, poetët Iliriana Sulkuqin dhe Milianov Kallupin. Ky qytet me aktivitete të shumta sportive, me Stadiumin “Elbasan Arena”, me traditat e futbollit elbasan në vite, me yjet e futbolli që kanë bërë histori sportive me fitimin e 2 kampionateve kombëtare, si E. Ibërshimi, F. Jorgaqi, M. Gjika, B. Rudi, N. Duçka, F. Lleshi, R. Ibershimi K. Hysi, K. Duro dhe deri tek A. Sadiku që shënoi të vetmin gol shqiptar në Kampionatin Europian të Futbollit Francë 2016. Nuk mund të lëmë pa përmendur bashkiakët e parë të Elbasanit, pas viteve 1990, Hysen Domin, Mjeshtrn e Madh në sportin e volejbolit, Ardian Turkun, pedagogun dhe psikologun e njohur dhe Kryebashkiakun e tanishëm, Qazim Sejdinin. (me tre mandate rresht) Kur flet për këtë qytet nuk mund të lësh pa përmendur dallëndyshen e parë të përgatitjes së mësuesve, Normalen e Elbasanit, shkollën pedagogjike, kuadrot e së cilës dhanë mësim kudo në Shqipëri. Ky qytet ka edhe një industri që si në atë kohë dhe tani është prioritare, Kombinatin Metalurgjik, Ferokromin, Rafinerinë e Naftës Cërrik, Fabrikën e Çimentos, Kombinatin e Drurit, të cilët e bënin Elbasanin të gumëzhinte nga puna dhe jeta e të gjithë qytetarëve të ardhur nga krahinat e Shqipërisë. Të flasësh për këtë qytet dhe për këtë popull është detyrë, por dhe krenari. Në këtë mjedis ne lindëm, u rritëm, u edukuam dhe shkolluam fëmijët, tashmë në moshë madhore, por jetojmë dhe mbajmë në kujtesë mbresat më të bukura për këtë qytet dhe këtë popull të mrekullueshëm.