Loading...

Një vit pas vdekjes së arsimtarit Mihal Gjoni, bashkia e Elbasanit e nderon me titullin “Mirënjohje e qytetit” për kontributin e veçantë në rrëzimin e sistemit komunist, në dobi të procesit demokratik në vend.

Në këtë nderim merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Z.Qazim Sejdini, arsimtarë, miq të Z.Gjoni, bashkëshortja e tij dhe dashamirës të librave. Osman Dauti, sekretar i shoqatës 14 Dhjetori, njëkohësisht edhe iniciator i këtij aktiviteti, është shprehur me detaje në lidhje me arsimtarin Gjoni, i cili pas shumë vështirësive arriti të përcillte tek breza të tërë dije dhe kulturë.

Ndërkohë, si mik por dhe si drejtuesi i bashkisë së Elbasanit, Z.Sejdini është ndalur tek vlerat dhe mirësia e Mihal Gjonit. Kreu i bashkisë, Sejdini, ndër të tjera ka theksuar se ky vlerësim është i rëndësishëm dy herë, pasi koha e kaluar me të ka qenë e vyer, ndërkohë që nderimi dhe realizimi i kësaj mirënjohje është i merituar.

Mbi vlerat dhe kontributet e Mihal Gjonit, është shprehur edhe Kryetari i Shoqatës së normalistëve, Rudolf Deliana, mësuesi Spiro Pasho etj.

Mihal Gjoni ishte mësues dhe qytetar i lagjes “Kala” në Elbasan, ndërkohë që do të mbetet në kujtesën e Elbasanit, si intelektual me trup të vogël, por zemër të madhe e të pastër, i cili sfidoi diktaturën.

Loading...
Loading...