Loading...

Një nga fushat e veprimtarisë së SHISH është edhe kundërzbulimi. Dhe në këtë rast një vëmendje e madhe i kushtohet veprimtarisë dhe operacioneve të agjencive jomike informative apo të sigurisë. Në bazë të këtyre të dhënave të grumbulluara SHISH thekson se Shqipëria është objekt i veprimtarisë së këtyre agjencive për arsye politike, ekonomike dhe gjeostrategjike. “Me anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe intensifikimin e përpjekjeve për integrim në BE, janë shtuar arsyet pse vendi ynë është objektiv me interes në rritje. Përveç ruajtjes së informacionit të klasifikuar kombëtar, Shqipëria ka për detyrë edhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare”, – thuhet në raportin e SHISH.

Gjithashtu, ky institucion vlerëson se, një aktiviteti i shërbimeve informative jomike është i vijueshëm, i qëndrueshëm në kohë, me prirje rritjeje dhe me ndërthurje të metodave klasike me ato hibride. “Interes i tyre mbetet sigurimi i informacioneve mbi zhvillimet e brendshme dhe të jashtme, në raport me proceset integruese euroatlantike, me dinamikën në marrëdhëniet dypalëshe apo rajonale, informacioni konfidencial dhe i klasifikuar, etj. Ato synojnë të pengojnë përpjekjet për integrimin euroatlantik, të dëmtojnë kohezionin mes aleatëve dhe të rrisin ndjeshmërinë e një audience specifike në përputhje me synimet për paraqitjen e aleancës euroatlantike si një faktor kërcënues ushtarak. Vërehen prirje për grumbullim informacioni të klasifikuar, aktivitete influencuese, përdorim të hapësirës kibernetike, propagandës online, dezinformim, në favor të synimeve të tyre strategjike”, – thekson SHISH.

Loading...
Loading...