Loading...

Më shumë shqiptarë i thanë “po” njëri-tjetrit gjatë vitit 2018. Sipas një publikimi të fundit të INSTAT, “Gratë dhe Burrat në vitin 2019” rezulton se kanë lidhur martesë 23 mijë e 104 çifte, rreth 2% më shumë se një vit më parë, ku numri i martesave ishte 22,641.

Shqiptarët kanë vendosur që të martohen më të rinj. Ndryshe nga ecuria e viteve të kaluara, mosha mesatare e djemve dhe vajzave që martohen ka shënuar rënie.

Sipas raportit të INSTAT tek gratë, më shumë se 53 % e martesave realizohen deri në moshën 24 vjeç, dhe deri në moshën 29 vjeç janë kryer 80,5 % e tyre. Kjo shpjegon moshën relativisht të re në martesë për gratë, e cila është 25,5 vjeç. Një vit më parë, mosha mesatare e martesave te gratë ishte 26.5 vjeç.

Për burrat 54,6 % e martesave realizohen deri në moshën 29 vjeç, dhe 82,4 % e martesave deri në moshën 34 vjeç. Mosha mesatare e martesës për burrat është 30,2 vjeç.

Megjithatë duke u bazuar në të dhënat ndër vite norma e martesave të grave sipas grupmoshave tregojnë se ka një rënie të normës së martesës deri në moshën 24 vjeç.

Krahasuar me 5 vite më parë, gratë martohen relativisht rreth dy vite më të mëdha.

Në publikim janë llogaritur martesat e hershme për vajzat dhe djemtë në mosha teke, për grupmoshën 15-19 vjeç. Numri i vajzave të martuara para moshës 18 vjeç, gjatë vitit 2018, është 24, raporton INSTAT. Ky numër është ulur në krahasim me një vit më parë, kur u regjistruan 38 martesa të vajzave nën 18 vjeç.

Përqindja e vajzave të martuara në moshat 15 deri 17 vjeç është shumë e ulët, ndërsa shënon vlerat më të larta në moshën 18 dhe 19 vjeç, përkatësisht 9,2 % dhe 7,0 %, ndërsa djemtë nuk kanë martesa para moshës 18 vjeç dhe përqindja e djemve të martuar në moshën 18-19 vjeç është nën 1%./Monitor

Loading...
Loading...