Loading...

‘Teatri’ në rrugë, gjasme po pësonte infarkt në zemër, nuk e ka shpëtuar një shqiptar, rezident në Colle Val d’Elsa, nga heqja e patentës, pasi ishte ndaluar nga policia rrugore e Sienës.

Shqiptari 46-vjeçar, i cili kishte edhe një bashkatdhetar në makinë, u vu re nga patrulla e policisë teksa po ecte me shpejtësi të madhe, çka bëri që policët të viheshin në ndjekje të tij e ta ndalonin.

Shqiptari u përpoq t’ia hidhte me një gjest teatral në momentin kur policët i kërkuan dokumentat, duke thënë se kishte therje në gjoks, sikur po pësonte infarkt.

Policët, të cilët e morën të mirëqenë pretendimin, thirrën menjëherë mjekun e urgjencës, i cili pasi e vizitoi përjashtoi që personi të kishte nevojë për ndihmë mjekësore.

Më pas, matësi i alkoolit e nxori krejt zbuluar, duke regjistruar nivel më të lartë nga i lejuari. Policia e denoncoi për drejtim mjeti në gjendje të dehur, alarm fals e rezistencë, duke i hequr patentën, 15 pikë dhe 1000 euro gjobë për tejkalim shpejtësie.

Edhe miku i tij e pësoi, pasi u denoncua për mosmbajtje me vete të lejes së qëndrimit.

Loading...