Loading...

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i ka kërkuar kryebashkiakus të Bulqizës, Lefter Alla, t’i nënshtrohet testit të drogës.

Ky vendim është marrë pas nisjes së hetimeve për kryebashkiakun e “Rilindjes”, në lidhje me videon e publikuar nga gazetari Artan Hoxha, ku Alla shfaqej duke konsumuar kokainë në një ambient publik.

Mësohet se SPAK i ka kërkuar Allës që të dorëzojë kampionet e gjakut dhe urinës pranë laboratorit shkencor.

Bëhet me dije se kryebashkiaku socialist duhet të paraqitet në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku do t’i merret kampioni i gjakut dhe urinës, i cili do të vërtetojë nëse ky i fundit është konsumues droge ose jo.

Po ashtu, mësohet se videoja e publikuar nga Hoxha do të inspektohet, për të provuar nëse është autentike, apo “montazh”, siç pretendon vetë Alla.

Ndonëse Alla e cilësoi videon si një “montazh”, gazetari Hoxha tha se disponon materialin filmim origjinal, i cili është me rezolucion të lartë dhe mund të dallohet qartë që në video është pikërisht kryebashkiaku socialist.

Loading...