Informacioni i fundit për 5-vjeçarin Klodian Hashimi të zhdukur 3 ditë më parë vjen nga te Terminali i autobusëve te Kthesa e Kamzës.

TIRANË-Informacioni i fundit për 5-vjeçarin Klodian Hashimi të zhdukur 3 ditë më parë vjen nga Terminali i autobusëve te Kthesa e Kamzës. Telefonuesit e shumtë në emisionin “Pa Gjurmë” në Report Tv kanë dhënë informacione të reja mbi vendodhjen e vogëlushit dhe të gjitha janë të lokalizuara në Tiranë. Një dëshmitar tha në emision në një lidhje telefonike se e kishte parë vetëm pak orë më parë, rreth orës 20:00 te terminali i autobusëve, i shtrirë në rrugë. Të tjerë telefonues kanë bërë me dije se e kanë parë po në Kamëz, por nuk ishte i vetëm. Sipas tyre, ishte i shoqëruar me dy djem të tjerë rreth moshës 16-20 vjeç.

“Po e mbanin nga bluzja dhe nuk po e linin të largohej. Dy të rriturit nuk po e linin të largohej. Ishte shumë i qetë fëmija. Ishin mbi 20-vjeç djemtë”.

“Dje në mëngjes rreth orës 08:00, po kthehesha nga Instituti Bujqësor, ky çun i vogël ka qenë në rrugë me dy çunat të tjerë të mëdhenj në moshë, rreth 17-18 vjeç. Ai çuni i gjatë kërkonte lekë, ky rrinte mbrapa”, thanë disa telefonues.

Kamerat e Report Tv, pas telefonatave të shumta që e lokalizonin 5-vjeçarin te pranë Kthesës së Kamzës, kanë shkuar në vendngjarje për të bërë kërkime. Ia vlen për t’u evidentuar, solidariteti i qytetarëve të cilët kanë nisur kërkimet në terren së bashku me stafin e emisionit “Pa Gjurmë”. Madje, dy prej tyre kanë ardhur enkas për të dhënë disa detaje nga vendodhja e 5-vjeçarit.

“E pashë, po rrinte. Nuk më shkoi mendja se do e kisha marrë. E kam parë rreth orës 10 pa një çerek, afër pallatit. Ngjitur me atë nuk kishte asnjë njeri”, tha një qytetar që vinte nga Bathorja.

“Rreth orës 02:00 brenda terminalit. Ka lypur lekë, është bashkë me një vajzë tjetër. Kanë ardhur këtu në terminal dhe u kam dhënë lekë. Jam 100% i sigurt”, tha një tjetër që punonte në terminalin e autobusëve.

Mes lotëve, pas këtyre informacioneve familja është nisur drejt terminalit me shpresën se mund të bien në gjurmët e fëmijës se tyre, e ndërsa dyshojnë se e kanë rrëmbyer për ta nxjerrë në rrugë për të lypur. “Ndoshta mund ta kenë nxjerrë për të lypur se është i vogël. Kam katër ditë që nuk ia ka parë sytë, është pa veshur, pa hëngër, pale ça i bëjnë e rrafin, e bëjnë”, tha nëna mes lotëve.

Klodian Hashimi 5- vjeç rezulton i humbur në 17 shkurt të këtij viti, nga parku i lodrave pranë banesës në Shkozë. Sipas familjarëve, ai u la i vetëm për rreth 30 minuta duke luajtur me fëmijët e tjerë dhe pastaj u zhduk pa asnjë gjurmë. Klodiani nuk shkonte në shkollë dhe gëzonte shëndet të plotë.

Nëse keni informacion, jeni të lutur të lidheni me redaksinë e “Pa Gjurmë” në të gjitha format e kontaktit:
Celular: 069 99 55 698 si dhe në aplikacionet: WhatsApp dhe Viber
Telefon: 0444 17 778