Ngjarja e shëmtuar e ndodhur pak ditë më parë në restorantin “Panorma” në Porto Palermo ishte një goditje e fuqishme për turizmin shqiptar, pasi videoja që Mihal Kokëdhima godiste xhamin e makinës në ecje të turistëve spanjollë dhe shqiptarëve, u bë virale në të gjitha mediat e huaja.

Një turist spanjoll, mik i turistëve që ishin të përfshirë në ngjarjen e rëndë ka rrëfyer arsyen pse ata u larguan nga restoranti.

Ai ka deklaruar se porosia ishte vonuar shumë dhe kishin zgjedhur të mos e konsumonin ushqimin duke u larguar të pakënaqur. Turisti dënon fort dhunën dhe gjithsesi flet mirë për vendin dhe për shqiptarët.

Rrëfimi:

Unë jam gjithashtu nga Spanja, kam vizituar shumë qytete të Shqipërisë. Kam qenë atë ditë në restorant kur miqtë e mi ishin aty. Ata pritën gjatë edhe nuk e konsumuan ushqimin. Mendoj vetëm që ishin në vendin e gabuar dhe nuk patën fat. Njerëz të këqij ka gjithandej, por njerëzit nuk duhet të kenë frikë të vizitojnë Shqipërinë. Kam qenë në Tepelenë dhe Gjirokastër, më ka pëlqyer shumë shërbimi dhe njerëzit janë të mrekullueshëm. Sigurisht që do ta vizitoj sërish Shqipërinë, pasi dua të zbuloj bukurinë e gjithçkaje këtu. Do e rekomandoj Shqipërinë kur të kthehem në vendin tim”.