Del përgjigja e autopsisë, çfarë e helmoi për vdekje 19-vjeçaren nga Librazhdi

Ka dalë përgjigja e autopsisë për vdekjen misterioze të 19-vjeçares nga Librazhdi, Rezarta Hajdari.

Vdekja e të resë ka ardhur nga monoksidi i karbonit, për shkak të mangallit me prush që mbante në dhomën e gjumit.

Kujtojmë këtu se ngjarja e ndodhur në fshatin Xhyrë, në muajin dhjetor të vitit që lamë pas, tronditi mbarë opinionin publik.

Çifti i të rinjve, Olsi dhe Rezarta Hajdari, u gjetën të helmuar në dhomën e tyre të gjumit, pesë ditë pasi ishin martuar.

Fatkeqësisht Rezarta humbi jetën, ndërsa Olsi mundi të shpëtonte.

Ngjarja shkaktoi akuza të rënda të familjarëve të viktimës ndaj familjarëve të Olsit.

Ata pretendonin se të bijën ia helmuan, ndërsa tashmë me përgjigjen zyrtare nga mjekësia ligjore, ky pretendim hidhet poshtë.