Loading...

Elbasani është një qytet me vlera të mëdha historike. Megjithatë me kalimin e viteve pikat më të rëndësishme të këtij qyteti janë lënë pas dore. E tillë është dhe lagja Kala.

Shtëpitë e vjetra karakteristike mezi qëndrojnë në këmbë. Rrugica të ngushta të gurta vazhdojnë të mbeten arteriet nga ku mund të lëvizet brenda lagjes ku lindi qyteti i sotëm i Elbasanit. Nga më të lashtët në Shqipëri, e gjithë historia e lulëzimit dhe e rënies së tij ka pasur lidhje me vijën Egnatia.

Por zanafilla e qytetit është më e hershme. Qyteti figuron si një vendbanim ilir. Megjithatë si datë e themelimit konsiderohet guri i varrit të legjionarit romak Mark Zabidi. Qyteti u quajt prej romakëve: Skamp. Në kohën bizantine u njoh me emrin: Valm.

Kurse në periudhën osmane u quajt prej osmanëve fillimisht Ijl-basan dhe më vonë i dhanë trajtën Elbasan, kurse prej të krishterëve vendas, u përdor termi grek Neokastër. Kulmin e lulëzimit qyteti (Kalaja) duket se e arriti në shekullin e XVII-të me krijimin, organizimin dhe funksionimin e 60 llojeve të zejeve në 45 Esnafe.


I kësaj kohe është “Kodiku i Esnafëve të Tabakëve”. Në mesin e shekullit të XVII, Elbasani kishte 2000 shtëpi, 900 dyqane dhe punoheshin me cilësi të lartë lëkura, leshi, mëndafshi, metalet e sidomos argjendi.

Por vitet shkuan. Për fat të keq tradita nuk u ruajt. Lagja u dëmtua shumë në diktaturë dhe në tre dekadat e fundit. Sot aty gjen një amalgamë objektesh që po e prishin të shkuarën e saj.

Shtëpi të mbajtura keq, të palyera, të pameremetuara, rrugica kaotike, krahas tyre gjen edhe vila të reja, një kontrast që ia ka humbur bukurinë lagjes. Adi Shuteriqi është banor i kësaj lagjeje. Ai ka emigruar në Amerikë. Tregon se ai bashkë me të tjerë kanë bërë mjaft përpjekje.

Adi Shuteriqi: Kjo është lagje muze. Kategori e parë shtëpitë, asnjëri nuk vë dorë. Shtëpitë po bien, çatitë po bien, kalldrëmet janë të mbaruara. Na leverdis muzeu, të dimë nga kemi prejardhjen. Të tjerat pastaj vijnë dalëngadalë. Restaurojmë këto që kemi që edhe turizmi të rritet, edhe të ardhurat të rriten.

Lagja “Kala” në Elbasan nuk është vetëm qendër historike dhe kulturore, por edhe një shembull i shkëlqyer i harmonisë fetare me objektet e kultit pranë e pranë që i përkasin besimeve të ndryshme fetare. Ajo është vendbanimi i fiseve me emër si Krisoforidhit, Todrit, Papajanëve, Gjonëve, Paparistove, Papamihalëve, Shuteriqëve, Delianëve.

Aty kanë lindur 6 nga 10 akademikët më të mëdhenj të kombit shqiptar. Është lënë në harresë e kjo është e pafalshme. Por megjithatë duket se diçka po lëviz. Këto ditë, lagja “Kala” në këtë qytet u vizitua nga Ministrja e Kulturës, Elva Margariti.


Që në hyrje të portës pati një surprizë. Aty ishte arkeologu i njohur Neritan Ceka, i cili ishte gjithashtu duke realizuar një intervistë për këtë lagje. Pati një bashkëbisedim të shkurtër, ku Ceka i kërkoi ministres më shumë vëmendje për këtë lagje që konsiderohet si thesar i kulturës shqiptare.

Elva Margariti, ministre e Kulturës: Elbasani ka shumë për të treguar jo vetëm tek Kalaja. Ka shumë histori, rruga Egnatia është një nga to. Shtrirja e Kalasë është shumë e madhe dhe ndërhyrja në të do kërkonte shumë kohë. Pikë së pari ajo që duhet të fokusohemi sot është cili është modeli, cili është plani për ta zhvilluar?

Qazim Sejdini, kryetar i bashkisë Elbasan: E meriton Kalaja jo vetëm për sot, por edhe për kontributin e përhershëm që ka dhënë. Sigurisht që kërkohet ndërhyrje, kërkohet bashkëpunim me qytetarët. Kanë filluar ta ndiejnë dhe të kenë iniciativa të veçanta.

Kështu ka ardhur koha që të ndërhyhet njëherë e mirë në një nga lagjet me histori dhe kulturë të rrallë në Shqipëri para se ato të rrënohen plotësisht. Investimet, jo vetëm që do ndikojnë në ekonominë dhe mirëqenien direkt të banorëve, por edhe në thithjen dhe zhvillimin e turizmit.

Loading...
Loading...