Ky është 28-vjeçari Vilson Tafçiu (Ndokaj) që u vra mbrëmjen e së hënës në zonën e Astirit në kryeqytet.
Mësohet se 28-vjeçari kishte pak kohë që ishte kthyer nga jashtë shtetit dhe mbrëmjen e kaluar po konsumonte kafe në një lokal të njohur në zonën e Astirit me dy vajza kur u nxor jashtë dhe u ekzekutua.

Duke iu referuar burimeve nga grupi hetimor, “BalkanWeb” bën të ditur se Tafçiu është qëlluar me një plumb në zemër nga një distancë e afërt dhe ka ndërruar jetë në vend.

Po kështu mësohet se është identifikuar autori i dyshuar i vrasjes, me iniciale N.D. nga pamjet e kamerave të sigurisë. Nisur dhe nga e kaluara e viktimës, policia ka arritur të identifikojë autorin që thuhet se ishte i njohur i 28-vjeçarit, ndaj dhe ai ka dalë jashtë lokalit kur është thirrur.

Tafçiu rezulton se ka shkuar në Francë më 7 mars 2018 dhe vetëm një javë më pas, më 12 mars, është arrestuar për shpërndarje të lëndëve narkotike. Autoritetet franceze e kanë dënuar me një vit burg, prej ku ka bërë 8 muaj paraburgim dhe më 6 nëntor 2018 është deportuar në Shqipëri.