Loading...

Një 27-vjeçare shtatzënë ka ndërruar jetë në spitalin e Gjilanit gjatë mbrëmjes së djeshme. Ajo ishte dërguar në spital thuajse pa shenja jete nga ana e familjarëve të saj.

Foshnjën kanë arritur që ta nxjerrin të gjallë nga barku i nënës mjekët e klinikës emergjente në këtë spital. Gjendja e foshnjës raportohet të jetë e stabilizuar pas lindjes.

E ndjera po priste ditët e fundit për të sjellë në jetë foshnjën e gjinisë mashkull, por situata u komplikua në orët e para të pasdites së djeshme. Mësohet se 27-vjeçarja kishte pasur marramendje dhe me simptoma të tilla u dërgua nga familjarët për në spitalin e Gjilanit.

Rrugës për në spital, gjendja shëndetësore e saj u përkeqësua edhe më shumë. Për ngjarjen, detaje për Gazetën Express, ka dhënë drejtori i spitalin Rajonal të Gjilanit, Nysret Hajrullahu.

Ai ka deklaruar se për fat të keq nëna ka vdekur, por doktorët kanë arritur që të nxjerrin të gjallë foshnjën nga barku i nënës.

Mjeku tha:

“Fëmija u nxor i gjallë nga barku i nënës. Ajo erdhi tek ne pa parametra vital. Fëmija ende kish pas ritëm, mjekët menjëherë e kanë reanimuar dhe kanë arritur që ta mbajnë në jetë foshnjën e gjinisë mashkullore. Shtatzëna në spital ka ardhur pa parametra vital, pa shenja jete. Kirurgët në Klnikën Emergjente të gjithë menjëherë kanë intervenu, por fatkeqësisht nuk mundi që të mbijetojë”.

Drejtori i spitalit tha se nuk dihet shkaku i vdekjes së 27-vjeçares. Familja e së ndjerës nuk kanë pranuar që t’i bëhet autopsia, e për këtë shkak nuk mund të përcaktohen faktorët që kanë çuar në vdekjen e saj.

Loading...