Ministria e Brendshme ka përgënjeshtruar lajmin se një nga truprojat e kryeministrit Edi Rama ka humbur jetën, e ndërsa një tjetër mbetur i plagosur gjatë takimit elektoral në Librazhd. Një “fake news” i tillë u njoftua më herët nga ish- kryeministri Sali Berisha, i cili i fshehur pas “qytetarit dixhital” publikon informacione pa i verifikuar më herët ato dhe pa e marrë parasysh pasojat që mund të shkaktojë.

Postimi i ish-kryeministrit Sali Berisha

“MB hedh poshtë me neveri insinuatën e turpshme të publikuar sot në disa media për kinse humbje jete apo plagosje të truprojave të Kryeministrit gjatë provokimeve nga disa protestues të Partisë Demokratike në Librazhd, më datë 13.06.2019. Nuk ka pasur kurrfarë problemi për jetën dhe shëndetin e truprojave të Kryeministrit gjatë veprimtarisë së zhvilluar në Librazhd, apo në qarqet e tjera të vendit gjatë këtyre ditëve”, njofton Ministria e Mbrojtjes.

Sipas Ministrisë, një informacion i tillë ka pasur qëllim krijimin e një klime pasigurie dhe paqartësie në vend

“Ministria e Brendshme fton median e përgjegjshme dhe opinionin publik që të jenë shumë të kujdesshëm me insinuata të kësaj natyre haluçinante, të cilat kanë shpesh herë të njëjtin burim dezinformimi dhe që synojnë vetëm një gjë: krijimin e një klime pasigurie dhe paqartësie në vend”, përfundon njoftimi i MB.