Loading...

Një ditë pasi vrau me thikë gruan në sy të djalit 8-vjeçar, është gjetur i mbytur në plazh, në sektorin Rinia, bashkëshorti 37-vjeçar, Adriatik Kuka. Policia dyshon se vetëvrasja ka ndodhur në orët e mbrëmjes, ndërsa është gjetur sot nga efektivët, të cilët sekuestruan pranë plazhit edhe makinën me të cilën autori u largua pasi vrau gruan e tij, Hazbije Kuka 37 vjeç. Shkak dyshohet të jetë bërë xhelozia e burrit, pasi gruaja së fundmi kishte filluar punë në një çerdhe publike.

Adriatik Kuka, 37-vjeçari që një ditë më parë vrau me thikë bashkëshorten e tij, Hazbijen 36-vjeçare, i ka dhënë fund jetës duke u vetëmbytur në det. Ngjarja e rëndë ndodhi dje në Spitallë të Durrësit, ku në sy të djalit të vetëm të çiftit, 8-vjeçar, burri vrau me thikë në zemër gruan e tij.

Sot, Adriatik Kuka u gjet i mbytur në det, në sektorin Rinia në Durrës. Policia kishte ngritur patrulla për të bërë të mundur kapjen e vrasësit të gruas, por 37-vjeçari u gjet nga efektivët i pajetë.

Dyshimet janë që ai të jetë vetëvrarë në kushtet e gjendjes së rënduar psikologjike pas aktit të rëndë të vrasjes së bashkëshortes së tij.

Rreth orës 07:30 të mëngjesit, policia gjeti pranë plazhit automjetin me të cilin autori u largua dje nga banesa pasi vrau gruan, në lagjen 15 të Durrësit.

“Grupi Hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në një njoftim paraprak të policisë. Dyshohet që burri të jetë vetëmbytur që në orët e mbrëmjes së djeshme.

Report Tv pati ditën e djeshme dëshmi të dajës së autorit të krimit, i cili zbuloi detaje nga jeta në çift e tyre. Gruaja, Hazbije Kuka, së fundi kishte filluar punë, dhe kjo ishte kthyer në “mollë” sherri mes tyre, pasi burri nisi të shfaqë shenja xhelozie. Gruaja kishte 2 muaj që kishte filluar punë në një çerdhe publike në lagjen numër 18.

“E kam nip, djalë motre, na turpëroi zonën. Që kur ka hyrë në punë, bëheshe xheloz, por nëse bëhesh xheloz ndaje. Kishin një djalë. Ishte shumë çupë e mirë. Ai ishte në punë, punonte shofer i një drejtori të OSHEE nuk e di në Durrës në Tiranë. Nuk kishte probleme ekonomike. Një djalë kanë nja 8 vjeç. Korça nuk e ka në traditë të bëjë krime të tilla”, tha dje daja i autorit.

Ishte djali 8-vjeçar i çiftit, i cili pasi pa skenën makabër njoftoi dajën. 36-vjeçarja u dërgua në spital nga vëllai i saj, por edhe pas ndërhyrjes së mjekëve ajo nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra.

Loading...
Loading...