Një automjet tip Fuoristradë i cili po transportonte refugjatë klandestinë nga Siria ka dalë nga rruga mbrëmjen e sotme në Gramsh duke rënë nga një lartësi rreth 140 metra, e për pasojë kanë humbur jetën dy persona me origjinë siriane.

Ndërkohë që 8 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur mes tyre edhe shoferi i automjetit Mikel Gjeli, 28 vjeç nga Tirana. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në aksin Cërrik-Gramsh, në fshatin Cekrez.

Mësohet se të plagosurit po dërgohen drejt spitalit të Traumës në Tiranë për një ndihmë më të specializuar mjekësore. Raportohet se tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore. Nuk dihen ende shkaqet e aksidentit, si dhe as identiteti i viktimave.

“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit”, njofton policia.

Me rrota në ajër në anë të rrugës, FOTOT e fuoristradës pas ‘fluturimit’ nga 140 m lartësi

E kthyer përmbys, me rrota në ajër, këto janë imazhet e Fuoristradës tip ML të siguruara nga Report Tv, e cila iu mori jetën dy emigrantëve sirianë dhe plagosi 8 të tjerë (ndër ta një shtetas shqiptar).

Fuoristrada, e cila po transportonte refugjatë klandestinë nga Siria ka dalë nga rruga mbrëmjen e sotme në Gramsh duke përfunduar në humnerë nga 140 metra lartësi.


Aksidenti me pasojë vdekjen në Gramsh, zbardhen emrat e 8 të plagosurve

Janë zbardhur emrat e 8 prej personave të plagosur nga aksidenti me pasojë vdekjen që ndodhi në fshatin Çekrez të Gramshit mbrëmjen e kësaj të shtune. Gazetari Ronaldo Gjoshi raporton se 7 nga personat e plagosur, pas rënies së Fuoristradës tip ML nga 140 metra lartësi, ishin shtetas sirianë dhe tjetri, drejtuesi i Fuoristardës, ishte 28-vjeçari Mikel Gjeli, nga Tirana.

Shtetasit sirianë të plagosur janë Syrjan Hamat 32-vjeç, Ali Qerredi 24 vjeç, Seif Azxherbahit 23-vjeç, Arnaif Merzhid 40-vjeç, Muhamet Nurhisi 33-vjeç, Abdyl Aliasiu 26-vjeç dhe një person me emrin Advokado 26-vjeç mbiemri i të cilit nuk bëhet i ditur.

Mësohet se dy viktimat, po ashtu shtetas sirianë vijojnë të jenë ende në vendngjarje të shtrirë në rrugë, ende të paidentifikuar. Ndërsa, të plagosurit janë dërguar për mjekim të specializuar në spitalin e Traumës në Tiranë.

U plagosën pas rënies në humnerë të fuoristradës, pasagjerët sirianë dërgohen me urgjencë tek Trauma në Tiranë

Shtetasit sirianë dhe drejtuesi i mjetit Mikel Gjeli që mbetën të plagosur nga aksidentit i ndodhur mbrëmjen e sotme në Gramsh, janë dërguar në spitalin e Traumës për një trajtim më të specializuar mjekësor. Ata kanë marrë dëmtime të rënda për shkak të daljes nga rruga të automjetit, i cili ka rënë nga një lartësi prej 140 metrash.