Një i ri shqiptar u zhduk në gusht të vitit 2017 në Greqi, por u raportua nga një i afërm i tij gati një vit e gjysmë më vonë.

Policia greke ka nisur një hetim të detajuar në lidhje me zhdukjen misterioze të 26-vjeçarit, Martin Ndoj.

Ndoj, i cili njihej edhe me emrin “Christos” jetonte dhe punonte në Frangokastello Sfakia, u zhduk në fund të muajit gusht të tre viteve më parë.

Vëllai i 26-vjeçarit, Agustini mendon se ai mund të jetë rrëmbyer dhe vrarë.

Agustin Ndoj tregoi se në komunikimin e fundit që ka pasur me të vëllanë në telefon, 26-vjeçari i kishte thënë se ishte i mërzitur, pasi ishte zënë me shokun e tij të dhomës, për shkak të një borxhi.

Sipas Agustini, Martini i kishte dhënë shokut të tij një shumë të konsiderueshme parash, por ai nuk ia kishte kthyer kurrë.

26-vjeçari i kishte treguar Agustini se shoku i tij i kishte luajtur në bixhoz paratë dhe i kishte përdorur në aktivitete të paligjshme.

Kjo ka qenë dhe telefonata e fundit që Agustin Ndoj ka bërë me vëllain e tij dhe pas këtyre deklaratave të 26-vjeçarit, telefoni i tij u fik.

Që prej asaj dite, Martin Ndoj u zhduk në mënyrë misterioze. Agustini tha për hetuesit se kishte telefonuar shokun e dhomës së vëllait të tij, për ta pyetur se pse nuk mund të komunikonte me të vëllanë. Ky i fundit i tha se 26-vjeçari ishte arrestuar në Rethymnon.

Më pas, Agustini kontaktoi me një kushëri në Rethymon, i cili shkoi në polici për të pyetur nëse 26-vjeçari ishte arrestuar.

Kushëriri i tha se autoritetet konfirmuan që Martin Ndoj nuk është arrestuar.

Agustini e mori sërish shokun e dhomës duke e akuzuar se e gënjeu, por ky i fundit këmbënguli duke u shprehur se Martini ishte arrestuar, me një emër të rremë.

Ajo që i shton edhe më tepër dyshimet është fakti se kur shoku i tij i dhomës u pyet nga Agustini se ku ndodhen dokumentet e vëllait të tij, ai i tha se nuk kishte qenë me të dy muajt e fundit para zhdukjes.

Çuditërisht, ai pranoi më vonë se dokumentet e Martinit i kishte hedhur në koshin e plehrave, pasi kishte frikë se mos arrestohej nga policia, si i dyshuar për zhdukjen e 26-vjeçarit.

Drejtoria e Sigurisë ka nisur hetime të detajuara për çështjen, por fakti që ka kaluar shumë kohë e vështirëson më tej zbardhjen e asaj që ka ndodhur me të riun shqiptar.